Pozita: Ushtare, Detyra të Përgjithshme në Kompaninë 2C të Batalionit të Dytë të Reagimit të Shpejtë

 

Punoj në administratë të Kompanisë 2C, Brigada e Reagimit të Shpejtë, Batalioni i 2-të në Istog. Përgjegjësia ime është rregullimi i dokumenteve të nevojshme për funksionimin administrativ të një kompanie. Po ashtu, bashkë me kolegët e mi, marr pjesë në marshime, ushtrime fushore, në trajnime të ndryshme të brendshme dhe institucionale, etj. Për momentin jam e angazhuar në fushatën e rekrutimit të pjesëtarëve të rinj, kështu që FSK-ja edhe në njëfarë mënyre më ka mundësuar prezantimin e uniformës në mënyrë edhe më të mirë. Bartja e uniformës për mua është nder dhe privilegj. Më pëlqen dukja ime në uniformë, sepse në sytë e popullit prezantoj ushtarin që i shërben popullit të vet. Po ashtu, një femër në uniformë ka një vlerë shumë të madhe dhe i jep shumë shpresë popullit të Kosovës. Uniforma çdo herë bie në sy të popullit, posaçërisht nëse atë uniformë e ka një femër me qëndrim ushtarak.
Në raport me koleg kam shumë respekt dhe tek ta gjej mbështetjen për çdo gjë. Puna ime nuk më pengon në jetën civile jashtë punës, pa marrë parasysh a jam duke shërbyer në punë apo jashtë orarit. Gjatë ushtrimeve fushore ne i përkushtohemi punës tonë 24:00 orë. Shërbimi në FSK më ka mundësuar respektin edhe më të madh nga njerëzit që më rrethojnë, gëzoj një admirim në sytë e popullit të Kosovës edhe kur jam civil. Në çdo moment kujdesem për sjelljet e mia, sepse e di që edhe në jetën civile, unë jam ushtar që i shërben popullit dhe shtetit të Kosovës. Qytetarët nuk janë mjaft të njoftuar për prezencën e femrave në FSK dhe për atë arsye janë të befasuar me figurën e një femre në uniformë. Duhet cekur se një femër në uniformë është një figurë e këndshme dhe e respektueshme nga civilët. Qytetarët janë të vetëdijesuar për rëndësinë e uniformës që e mban një femër dhe për prezencën e tyre në ushtri. Të gjitha femrat që dëshirojnë të bëhen pjesë e FSK-së u propozoj që të mos kenë dilema rreth kësaj pune, sepse kjo punë është sfiduese, por edhe ka shumë momente të bukura krenarie. Një femër duhet patjetër të jetë e vendosur së pari të bëhet pjesë e FSK-së dhe të ndiej veten të fuqishme të ballafaqohet me të gjitha sfidat. Duhet të jetë e vetëdijësuar për rëndësinë që e ka ajo në uniformë dhe për nderin që e ka për të mbajtur atë. Ajo të jetë ushtarake në sy të popullit, të prezantoj kulturën e një familje të denjë dhe përkushtimin që e ka ndaj punës së saj.
Pozita

Additional Info