Pozita: Nëntogere, Komandante Togu, Batalioni i Tretë i Reagimit të Shpejt

Unë jam Oficere me gradën e Nëntogerit dhe kryej detyrën Udhëheqës Togu. Detyrat e mija janë që të përkujdesem për aftësimin e pjesëtarëve në kryerjen e detyrave në bazë të misionit të FSK-së. Unë gjithashtu kujdesem dhe mbaj përgjegjësi për mirëqenien e tyre brenda dhe jashtë kazermës, nivelin e tyre disiplinor, zhvillimin personal dhe me një kujdes të veçantë e përcjell zhvillimin e karrierës së tyre në të ardhmen. Pjesa më e mirë e bartjes së uniformës është privilegji që më është dhënë nga populli si bartëse e amanetit të dëshmorëve dhe martirëve të kombit, që rrugën drejt ndërtimit dhe zhvillimit shtetëror ta qojmë deri në fund. Asnjëherë nuk humbas kohën time të vlefshme duke analizuar dallimet gjinore. Unë mendoj që barazinë e përcakton puna dhe përkushtimi, prandaj unë ndjehem e barabartë dhe shpeshherë edhe në avantazh të madh ndaj kolegëve të mi meshkuj. Profesioni i ushtarakut është i veçantë vetëm për faktin se në radhë të parë vihet shërbimi. Kjo nuk do të thotë se ky profesion ta kufizon përkushtimin ndaj familjes dhe jetën private në përgjithësi. Përkundrazi të jesh ushtarak do të thotë që të jesh shumë i përgatitur edhe në ballafaqimin me jetën civile. Njerëzit që ushtrojnë këtë profesion janë shumë të përgjegjshëm ndaj familjes dhe shoqërisë. Respekti për femrat në uniformë në përgjithësi nuk mungon, por unë mendoj që qytetarët duhet të vetëdijësohen më shumë rreth faktit se në ditët e botës moderne prezenca e femrës në ushtri është e domosdoshme. Pjesë vitale e një shteti të pa mposhtur është një ushtri e pa mposhtur, prandaj pa dilema ju lus që t’i bashkëngjiteni FSK-së, në ndërtimin e një ushtrie profesionale, që do ta ndërronte një herë e përgjithmonë rrjedhën e hidhur të historisë sonë. Dashuria për atdheun duhet të jetë e pa kusht. Kur them dashuri për atdheun mendoj në punë, nder, guxim personal, respekt të ndërsjellë, integritet dhe besnikëri ndaj vlerave të kombit.

Additional Info