Pozita: Tetare, Deminere në Kompaninë e Deminimit

Unë kryej detyrën e Deminieres për Pastrimin e Minave të mbetura nga lufta e fundit në Kosovë. Kjo është një punë shumë e vështirë dhe me rrezik të madh, andaj mund t’ia kenë frikën edhe shumë meshkuj. Megjithatë, unë e bëj këtë punë me një vullnet dhe dëshirë shumë të madhe, pasi që e di rëndësinë e pastrimit të zonave të minuara. Për mua është privilegj i madh të bartë uniformën e FSK-së dhe të jap vlera për vendin tim. Një femër që bartë uniformë ka një rëndësi mjaft të madhe për popullin e Kosovës, pasi që u jep shpresa popullit për të ardhmen e vendit. Gjatë kryerjes së detyrës unë ndjehem shumë e barabartë me kolegët e mi meshkuj, por ndonjëherë ka raste që kursehem nga disa detyra me një rrezik shumë të lartë dhe që kryhen me vështirësi. Tek kolegët e mi gjithmonë gjej një mbështetje dhe respekt për punën time sa të vështirë aq edhe fisnike. Puna ime nuk më pengon aspak në jetën time private. Për mua prioritet është t’i kryej obligimet profesionale në mënyrën më të mirë të mundshme, e pastaj të e koordinoj sa më mirë jetën time private. Obligimeve profesionale u përkushtohem gjatë orarit të punës 5 ditë në javë, duke i kryer të gjitha detyrat që më jepen, ndërsa jeta private është komplet një pjesë tjetër qe më takon mua dhe koha që më mbetet në dispozicion mjafton. Unë besoj se qytetarët e Kosovës e vlerësojnë kontributin e femrave në FSK, duke pasur gjithmonë parasysh se femrat janë një vlerë e veçantë që kanë vendosur t’i shërbejnë vendit në mënyrën më fisnike. Të gjitha femrat që dëshirojnë të bëhen pjesë e FSK-së, të mos kenë dilema rreth këtij vendimi, pasi që të jesh pjesëtare këtu është një ndjenjë e mirë dhe shumë e veçantë. Të bartësh uniformën e FSK-së do të thotë që ti je e gatshme që t’i shërbesh vendit tënd në një mënyrë shumë të veçantë dhe të bëhesh pjesë e një të ardhme sa më të ndritur për vendin tonë. Vendosmëria për të qenë pjesëtare e FSK është një element kyç për një femër. Pastaj duhet të ndjehesh e fuqishme që të përballesh me të gjitha sfidat që mund të vijnë gjatë punës.

Additional Info