Pozita: Zyrtare Korrektuese në Sektorin e Sigurisë

 

Në kuadër të pozitës sime kam disa detyra dhe përgjegjësi, pasi që unë jam oficere e sigurimit dhe jam përgjegjëse për shumë detyra që i përkasin sektorit të sigurimit, si kontrollimin e gjithë hapësirës brenda pavionit, pajisjeve të sigurisë, për funksionalitetin e tyre, përcjelljen e vizitave të burgosurve me avokatë, familjarë, si dhe bastisje gjatë çdo hyrje-dalje të burgosurve dhe vizitorëve (të gjinisë femërore). Uniforma me bënë më autoritare gjatë kryerjes së detyrave, por gjithsesi e konsideroj edhe si privilegj që kam pasur mundësinë të jem pjesë e Shërbimit Korrektues të Kosovës. Ndihem, dhe jemi të barabartë në punë, pasi që kemi detyra dhe përgjegjësi të njëjta, sikurse meshkujt ashtu edhe femrat. Bashkëpunimi dhe përkrahja e kolegëve meshkuj neve na bënë edhe më të suksesshme. Me një koordinim të mirë të punëve, arrij t’i kryej të gjitha detyrat me përgjegjësi të plotë, poashtu edhe obligimet e mia familjare, pasi që jam nënë, bashkëshorte dhe kam përkrahje të plotë nga familja ime. Mendoj që puna e femrave në uniformë vlerësohet nga qytetarët, por jo edhe aq sa është kontributi i tyre. Mos hezitoni, largoni dilemat dhe vendosni për pozita në të cilat duhet bartur uniforma, pasi që edhe ne femrat mund të japim kontributin tonë edhe në këto institucione si çdokund tjetër, do të keni përkrahje institucionale poashtu do të keni përkrahje edhe nga familja. Çdo femër e arsimuar dhe që ka vetëbesim, mendoj se do të ketë sukses në një profesion të tillë dhe në këto institucione të rëndësishme shtetërore, pasi që e kemi mundësinë të cilën nuk e kanë pasur gjeneratat e mëhershme.