Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) është Forcë e re, profesionale, shumetnike, lehtë e armatosur dhe e uniformuar e Sigurisë e cila i nënshtrohet kontrollit demokratik, civil dhe e cila është themeluar më 21 janar 2009, gjithsejt ka 2500 pjesëtarë aktivë dhe 800 pjesëtarë rezervë. Misioni i FSK-së është që të kryej operacionet e reagimit ndaj krizave në Kosovë dhe jashtë saj; operacionet e mbrojtjes civile brenda Kosovës; si dhe t’i ndihmoj autoriteteve civile në përgjigje ndaj katastrofave natyrore dhe emergjencave të tjera. Detyra të tilla do të përfshijnë operacionet e kërkim shpëtimit; mënjanimin e mjeteve shpërthyese; kontrollin dhe pastrimin e materieve të rrezikshme; zjarrfikjen; si dhe detyrat tjera të ndihmës humanitare. FSK-ja do t’i përfaqësoj dhe mbroj të gjithë njerëzit e Kosovës. Zhvillimi i FSK-së është i bazuar në praktikat më të mira demokratike për të siguruar një "forcë për të mirë", që është nën kontrollin demokratik civil dhe është e pranueshme për kombin, fqinjët, dhe NATO. Fushatat e rekrutimit të FSK-së i inkurajojnë pjesëtarët e komuniteteve etnike dhe femrat që të bëhen pjesë e FSK-së. Femrat në uniformë shërbejnë në të gjitha njësitë e FSK-së: në Komandën e Forcave Tokësore, Brigadën e Mbështetjes Operacionale, Brigadën e Reagimit të Shpejtë, Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes, njësitë vartëse pranshtabore si dhe në Ministrinë e Integruar të Forcës së Sigurisë së Kosovës (MFSK). Në MFSK dhe në FSK, barazia gjinore përfshihet në zbatimin e politikave dhe planeve në çdo nivel, dhe të dy institucionet janë të përkushtuara që t’i zbatojnë parimet dhe politikat e tilla.