Bazuar mbi parimet më të avancuara të të drejtave të njeriut dhe standardeve të zbatimit të ligjit, me përkrahjen e institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, në Shtator 1999 është themeluar Policia e Kosovës, si institucion i zbatimit të ligjit i ndërtuar mbi vlerat të cilat, mbi të gjitha, promovojnë standardet më të avancuara profesionale, si dhe ato që kanë të bëjnë me përfaqësimin e femrës dhe rolin e saj të merituar në një organizatë siç është PK-ja. Misioni i Policisë së Kosovës është të ofroj zbatim të ligjit në Kosovë në mënyrë profesionale, efektive dhe efikase. Objektivat strategjike të këtij institucioni janë: Të mbroj jetën dhe pronën, të mbaj rendin dhe qetësin publike, të parandaloj dhe zbulojë krimin, të mbrojë të drejtat dhe liritë e njeriut dhe t`i trajtojë në mënyrë të barabartë të gjithë qytetarët pa dallim race, ngjyre, religjioni, gjinie dhe moshe. Sipas strukturës organizative aktuale, Policia e Kosovës është e organizuar në dy nivele: niveli qendror dhe lokal. Drejtoria e Përgjithshme e Policisë është niveli qendror përgjegjës për tërë Republikën e Kosovës. Niveli lokal përfshinë Drejtoritë Rajonale të Policisë, përgjegjëse për rajonet e përbëra me komunat e caktuara, stacionet policore që janë përgjegjëse për policinë lokale në secilën komunë dhe nënstacionet policore – përgjegjëse për policinë lokale brenda zonave të caktuara të një komune. Zbatimi i standardit të ri kulturor të Policisë së Kosovës si dhe krijimi e promovimi i vlerave, e kanë shndërruar këtë institucion në një shembull për të gjitha institucionet dhe dëshmi se, barazia gjinore nuk është vetëm një shprehi jona retorike, por një realitet të cilin duhet thelluar dhe avancuar përditë. Duke bazuar në kapacitetet dhe vullnetin e femrave në polici, përkrahjen e vazhdueshme të menaxhmentit në PK, si dhe institucioneve dhe organizatave të tjera e në veçanti nga UNWomen, është arritur edhe krijimi i Shoqatës së Grave në Policinë e Kosovës e cila tashmë është e anëtarësuar në organizata të tilla ndërkombëtare. Shoqata e Grave të Policisë së Kosovës në radhët e saja aktualisht numëron afro 500 anëtarë dhe në këtë numër janë të përfshirë staf i uniformuar, civil si dhe anëtarë meshkuj.