Shoqata e Grave të Policisë së Kosovës (SHGPK), me mbështetjen e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), organizoi një trajnim të rëndësishëm me temën: “Roli i gruas në kulturën tonë dhe ndikimi i ndryshimeve shoqërore bashkëkohore”.
Qëllimi i trajnimit ishte të theksonte rëndësinë e rolit të gruas në strukturat e sigurisë dhe të adresonte sfidat me të cilat ato përballen në një shoqëri në ndryshim. Diskutimet u përqendruan në ndikimin e ndryshimeve shoqërore në perceptimin dhe përfshirjen e grave në polici, si dhe në promovimin e barazisë gjinore dhe fuqizimin e tyre në këtë sektor.
Në trajnim morën pjesë zyrtare policore nga të dyja anët e Mitrovicës – Jug dhe Veri – duke nxitur bashkëpunimin dhe shkëmbimin e përvojave ndërmjet kolegeve nga rajone të ndryshme.
Ligjëruese në këtë trajnim ishte kolonel Afërdita Mikullovci, e cila është gjithashtu koordinatore e SHGPK-së për rajonin e Mitrovicës së Jugut.
Prezente ishte edhe znj. Chiara Tagliani, këshilltare për barazi gjinore në EULEX, kryetarja e SHGPK-së major Teuta Nimani, si dhe përfaqësues të tjerë.
Ky aktivitet është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme të SHGPK-së për të fuqizuar rolin e grave në polici dhe për të ndërtuar ura bashkëpunimi ndërmjet institucioneve vendore dhe ndërkombëtare. Mbështetja e EULEX-it në këtë trajnim pasqyron angazhimin e përbashkët për promovimin e barazisë gjinore dhe zhvillimin profesional të grave në sektorin e sigurisë.



