Shoqata e Grave të Policisë së Kosovës (SHGPK) pati kënaqësinë të mirëpresë një delegacion të lartë nga Shoqata e Grave të Policisë së Shqipërisë në një vizitë studimore me karakter profesional, e cila u zhvillua gjatë një qëndrimi treditor në Kosovë. Kjo vizitë erdhi si pjesë e përpjekjeve të përbashkëta për të forcuar bashkëpunimin rajonal ndërmjet grave në strukturat e sigurisë, si dhe për të shkëmbyer përvoja dhe praktika të mira në fushën e promovimit të barazisë gjinore dhe fuqizimit të grave në polici.
Qëllimi kryesor i vizitës ishte ndarja e përvojave dhe rrugëtimit 12-vjeçar të Shoqatës së Grave të Policisë së Kosovës – një rrugëtim që dëshmon përkushtimin e pandërprerë të kësaj shoqate në përkrahje të grave police, fuqizimin e rolit të tyre në institucion dhe avancimin e tyre profesional dhe shoqëror.
Gjatë vizitës, delegacioni nga Shqipëria pati mundësinë të vizitojë një sërë institucionesh dhe departamentesh kyçe të Policisë së Kosovës, përfshirë:
• Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Kosovës
• Departamentin e Burimeve Njerëzore
• Departamentin e Kufirit
• Stacionin e Policisë në jug të Prishtinës
• Misionin e OSBE-së në Kosovë
Këto vizita ishin të shoqëruara me prezantime, diskutime dhe takime me zyrtarë të lartë dhe anëtarë të Shoqatës së Grave të Policisë së Kosovës, me qëllim thellimin e njohurive për strukturat, politikat dhe sfidat që lidhen me promovimin e grave në pozita udhëheqëse dhe përfaqësuese në polici.
Vizita u karakterizua nga një frymë bashkëpunimi të ngushtë dhe miqësor, duke hapur rrugë për nisma të reja të përbashkëta dhe projekte të ardhshme që do të kontribuojnë në fuqizimin institucional dhe rajonal të grave në sektorin e sigurisë. Të dyja shoqatat u dakorduan për vazhdimin e bashkëpunimit dhe organizimin e aktiviteteve të përbashkëta që adresojnë çështje me rëndësi për gratë në polici.





