(SHGPK)Prishtinë, 7 mars 2025 – Me rastin e shënimit të 8 Marsit, Ditës Ndërkombëtare të Gruas, dhe me mbështetjen e Misionit të OSBE-së në Kosovë, Shoqata e Grave në Policinë e Kosovës (SHGPK) organizoi një konferencë me temën “Gratë në Polici – Implementimi i Masave Transformuese Gjinore”. Hapjen e konferencës e bëri Kryetarja e Shoqatës së (SHGPK), Major Teuta Nimani, e cila theksoi rëndësinë e fuqizimit të grave në sektorin e sigurisë dhe angazhimin e vazhdueshëm për barazi gjinore në Policinë e Kosovës. Në këtë konferencë mori pjesë edhe Shkëlqesia e saj, znj. Vjosa Osmani, Presidente e Republikës së Kosovës, e cila, në fjalën e saj, përgëzoi gratë dhe vajzat në uniformë për arritjet e tyre, pavarësisht sfidave, dhe njëkohësisht theksoi rëndësinë e angazhimit të mëtejshëm për fuqizimin e tyre në Policinë e Kosovës. Ngjarja mblodhi personalitete të rëndësishme nga institucione të ndryshme, duke përfshirë, Kolonel Gazmend Hoxha, Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, i cili rikonfirmoj se menaxhmenti i lartë i Policisë së Kosovës do të vazhdojë mbështetjen për SHGPK-në dhe aktivitetet e saj. Për më tepër, Znj. Cornelia Taylor, U.D. Shefe e Misionit të OSBE-së në Kosovë, i vlerësoi hapat e rëndësishëm të Policisë së Kosovës drejt gjithëpërfshirjes dhe barazisë gjinore, duke e cilësuar lidershipin e saj si forcë kryesore lëvizëse pas këtyre nismave, ndërsa SHGPK-në si një kampione të vërtetë të këtyre arritjeve. Me këtë rast, Major Brahim Sadriu, theksoi rëndësinë e masave afirmative për barazinë gjinore dhe avancimin e barabartë në karrierë, përkundër sfidave të cilat i përmendi edhe Kolonel Elmina Mahmuti, Nënkryetare e SHGPK-së, e cila ndau përvojat e saja dhe ato të grave tjera me pjesëmarrësit në konferencë. Rreshter Samira Kikaj, Anëtare e SHGPK-së, që foli mbi barazinë gjinore dhe reformat institucionale. Znj. Vlora Tuzi Nushi, Shefe e Zyrës UN Women për Kosovë, e cila adresoi sfidat e barazisë gjinore në sektorin e sigurisë ndërsa Znj. Edi Gusia, nga Agjencia për Barazi Gjinore, prezantoi strategjitë për barazinë gjinore në sektorin e rendit dhe sigurisë. Z. Kushtrim Hodaj, Kryeshef i Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK), ndau me pjesëmarrësit rëndësinë e institucionit të tij në adresimin e sfidave me të cilat mund të ballafaqohen gratë dhe vajzat në uniformë.Znj. Mirsada Mehmetaj, nga Zyra Ekzekutive e Shërbimit Korrektues të Kosovës (SHKK), foli mbi të arriturat përsa i përket ngritjes së numrit të grave në këtë shërbim, ndonëse i përmendi edhe sfidat të cilat janë ende evidente kur bëhet fjalë për numrin e grave në pozita vendimmarrëse, përkundër masave afirmative.Znj. Majlindë Sinani Lulaj, Zëvendëse e Avokatit të Popullit, diskutoi mbi mekanizmat për raportimin e diskriminimit dhe llogaridhënien institucionale ndërsa Znj. Biljana Nastovska, nga Misioni i OSBE-së në Kosovë, foli mbi praktikat më të mira globale dhe bashkëpunimin në këtë drejtim.Konferenca u fokusua në angazhimin e institucioneve për t’u ofruar grave mundësi të barabarta në karrierën policore dhe për të luftuar çdo formë diskriminimi në vendin e punës. Një nga mesazhet kryesore të kësaj ngjarjeje ishte nevoja për implementimin e masave transformuese, të cilat do të mundësojnë avancimin e grave në pozita udhëheqëse dhe përfaqësimin e tyre të duhur në strukturat policore.



